e mërkurë, 24 shkurt 2010

Terminali i pasagjerëve në Durrës, gati deri në fund të vitit

Rreth 70 mijë metra katrorë do të jetë hapësira ku do të shtrihet terminali i ri i pasagjerëve dhe trageteve në Portin e Durrësit. Punimet tashmë janë në një fazë të avancuar dhe në fund të tyre porti më i madh në vend do të ketë një kapacitet përpunues mbi 1 milionë pasagjerë në vit. "Terminali i ri do të rrisë jo vetëm kapacitetet përpunuese, por edhe cilësinë e shërbimit në Portin e Durrësit", shprehen ekspertët në port.

Zona e ankorimit të trageteve do të rrethohet me konstruksion metalik. E gjithë kjo, sipas burimeve zyrtare të Portit, po bëhet për të rritur parametrat e sigurisë, ndërsa pohohet se projektit ekzistues i janë bërë disa ndryshime. "Punimet kanë patur një zgjatje 1-vjeçare për shkak të ndërhyrjeve që kemi bërë në projekt. Me këto ritme parashikojmë që terminali të përfundojë në fund të vitit", nënvizojnë më tej ekspertët. Projekti parashikon ndërtimin e mbikalimit për lëvizjen e udhëtarëve që vijnë nga stacioni hekurudhor i Durrësit, godinën e inspektimit doganor si dhe vendpërpunimin e mjeteve të transportit dhe mallrave. Kompleksi do të ketë edhe shërbimet e nevojshme për udhëtarët si bare, restorante, ambiente pritjeje dhe akses interneti. Investimi kap vlerën e 13 milionë eurove dhe është financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. E thënë ndryshe, porti Detar i Durrësit, më i madhi në vendin tonë, do të ketë shumë shpejt një ambient të ri për përpunimin dhe pritjen e trageteve, pasagjerëve dhe mjeteve. Punimet për terminalin më të ri të pasagjerëve dhe shesheve në Portin e Durrësit do t'i japin një pamje krejt tjetër portit më të madh tregtar në Shqipëri. Terminali do të ketë një kapacitet për rreth 2 mijë pasagjerë, ndërsa sheshet e parkimit rrotull godinës do të kenë një kapacitet për rreth 2 mijë automjete, si vetura apo mjete transporti mallrash. Ndërtimi i këtij terminali do të mundësojë lëvizjen sa më komode dhe të shpejtë të pasagjerëve që vijnë nëpërmjet trageteve dhe kroçerave, sidomos në periudhën e verës apo gjatë festave. Projekti që do të kapë një vlerë të përgjithshme prej rreth 13 milionë eurosh, do të financohet nga Banka Europiane e Investimeve, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Komisioni Europian.

Projekti për ndërtimin e terminalit të ri

Terminali i ri i pasagjerëve do të jetë një konstruksion metalik njëkatësh, me sipërfaqe rreth 5 mijë metra katrorë, në të cilin do të përfshihen të gjitha ambientet e nevojshme për shërbimin dhe kontrollin e pasagjerëve, si: sallat e pritjes në hyrje dhe dalje të godinës, pikat e shitjes së biletave dhe agjencitë e udhëtimit, pikat e kontrollit doganor dhe të dokumenteve personale, ambiente shërbimi për personelin. Projekti parashikon edhe ndërtimin e mbikalimit për lëvizjen e pasagjerëve që vijnë nga stacioni ekzistues hekurudhor i Durrësit, godinën e inspektimit doganor, godinën për shërbimin e shoferëve të mjeteve të transportit të mallrave që do të udhëtojnë me tragete, si dhe strukturat dhe ambientet në hyrje dhe dalje të zonës së terminalit, nga ku do të kryhet dhe kontrolli i dokumenteve për pasagjerët dhe mjetet.

Ndërtimi i shesheve dhe i rrugëve

Në projekt është parashikuar edhe ndërtimi i shesheve dhe rrugëve lidhëse në zonën e operimit të trageteve, ndërtimi i rreth 65 mijë metër katror sheshe të betonuar, rruga e re hyrëse në zonën e trageteve, portat hyrëse dhe dalëse, sistemi i drenazhimit të ujërave sipërfaqësor, i ujit të pijshëm dhe të impiantit të pastrimit të ujërave në zonën e trageteve, ndërtimi i sistemit elektrik së bashku me nënstacionin dhe gjeneratorët, i sistemit të ndriçimit të shesheve dhe rrugëve lidhëse. E gjithë zona e re e trageteve, e cila do të kufizohet me rrethim metalik dhe xham plastik për të lejuar pamjen nëpërmjet tij, do të ketë parametra të lartë sigurie në kuadrin e rritjes së nivelit të sigurisë që po aplikohet sot në port, duke krijuar kështu kushtet për modernizimin e mëtejshëm të tij.

Parametrat e Terminalit të ri të Trageteve

1. Ndërtesa e Terminalit me konstruksion metalik dhe xhami 5,400 m2

2. Sheshe për automjetet 63,500 m2

3. Hapësirë parkimi për automjetet 2.100 m2

4. Lidhje direkte (foot bridge) me stacionin e trenit 226 m

5. Pika kontrolli hyrje / dalje për 2000 pasagjerë

6. Shërbimet e nevojshme si, bar, restorant, ambiente pritjeje, akses interneti, etj.

1 koment:

  1. planimetrite nuk i gjate dot per ti komentuar por nga kjo foto qe po shoh te krijon me teper pershtypjen e nje restoranti buze vollges sesa te nje terminali pasagjeresh te projektuar ne 2011.
    ka shum stubente shqiptare qe ne temat e tyre te diplomimit kane trajtuar kete terminal dhe kan bere projekte te mbrekullueshme.

    PërgjigjuFshije