e diel, 7 mars 2010

Rama: Transporti publik drejt një shërbimi të denjë për një qytet europian

Bashkia e Tiranës organizoi një takim me Shoqatën e Transportit Qytetas dhe operatorët e shërbimit për të diskutuar në lidhje me problemet kryesore sot, mbi Planin të ri të Masave për Transportin Urban (2010-2015) në Tiranë, si dhe për të marrë angazhimin e operatorëve mbi zbatimin e këtij projekti.



Sipas “Transparenca për Bashkinë e Tiranës”, që u zhvillua në vitin 2009, për të disatin vit, qytetarët e Tiranës kanë përcaktuar prioritetet kryesore të politikave dhe projekteve të Bashkisë. Në këtë konktekst, transporti publik është konsideruar për herë të parë këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, prioriteti kryesor dhe më i votuari nga qytetarët e Tiranës, sigurisht krahas infrastrukturës publike dhe gjelbërimit.



Duke iu drejtuar përfaqësuesve të operatorëvë të shërbimit urban, Kryebashkiaku Rama ka vënë theksin në disa nga problematikat, arritjet dhe pritshmëritë, lidhur me masat në transportin urban. Ndër të tjera Rama u shpreh: “Kemi vënë re nga ky anketim se qytetarët na kërkojnë një vëmendje më të madhe ndaj transportit publik, duke vlerësuar përmirësimin e ndjeshëm që është bërë ndër vite për këtë transport. Gjithsesi janë një numër në rritje i qytetarëve që i drejtohen transportit urban, duke shfrytëzuar linjat tona të autobusëve dhe qëllimi i këtij takimi është që, bazuar në këtë anketim, bazuar në këtë proritet të vendosur nga vetë qytetarët përmes këtij anketimi, me rritjen e cilësisë së transportit publik, në kushtet kur tashmë në Tiranë, qytetarët vlerësojnë se ka një bazë pozitive për këtë dhe ka një mundësi që buron nga fakti se ata e kanë ndierë përmirësimin e këtij transporti, ne dëshirojmë të ndajmë me ju, qoftë dëshirën për ta çuar një hap më tutje këtë shërbim, qoftë edhe shqetësimin që kjo gjë të ndodhë në funksion të një përmirësimi jo thjesht afatgjatë, por edhe afatmesëm dhe afatshkurtër.



Për këtë, kemi një plan të ri masash, bazuar në masterplanin e transportit për zhvillim të qëndrueshëm, i njohur prej jush dhe në këtë plan të ri masash ne duam të trajtojmë me rigorozitet dhe sukes disa problematika që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me nevojën për të rritur standartin e shërbimit, për të rritur komoditetin e qytetarit në këtë shërbim dhe sigurisht për të synuar standarte europiane, edhe pse jemi të vetëdijshëm se për shkak të kostos që ka shërbimi, për shkak të politkës së një çmimi shumë të ulët, në raport me koston që ne kemi bërë, nuk është një fjalë goje që ne do arrijmë standartet europiane, në këtë fushë ku Europa ka bërë zhvillime marramëndëse. Megjithatë, kemi nevojë edhe të përmirësojmë frekuencën, në kuptimin e një sistematizimi të frekuencës së orareve dhe të shmangies së vonesave të trafikut; kemi nevojë të përmirësojmë kushtet e shërbimit dhe të sigurisë në bord, kemi nevojë të rrisim akoma më shumë aksesin për këtë shërbim, pra të dekurarojmë mjetin privat për lëvizje brenda qytetit, duke inkurajuar transportin publik, por ama me një ofertë më cilësore dhe kemi nevojë që me një politikë të re të kostos, në raport me standartin, të shikojmë domosdoshmërisht rritjen e investimeve në këto mjete.



Ju keni tashmë një eksperiencë, nuk jemi më në kushtet kur kjo është eksperienca e parë, nuk jemi më në kushtet kur kjo punë filloi me një lloj pasioni të përbashkët që ishte më i madh sesa siguria se kjo do të funksiononte. Shumëkush atëherë ishte dyshues, se mos kjo çonte në faliment të shpejtë të operatorëve, ashtu sikundër edhe ju keni qenë dyshues që me këtë politikë rigoroze të çmimit të përballueshëm nga kjo pjesë e qytetarisë tiranase që merr shërbimin tuaj, të mund të ofrohej një shërbim i mirë. Fakti është se kemi arritur sot me një shërbim më të mirë se në të shkuarën, por na duhet një shërbim edhe më i mirë për të nesërmen e afërt, jo për të nesërmen e largët.



Dua t’u them se ne kemi 4 grupe projektesh shumë të rëndësishme për transportin publik sipas elementeve:



Infrastruktura rrugore:

Rruga me prioritet në lëvizje, për transportin publik,

Sipas menaxhimit të lëvizjes,

dhe në tërësi për mjetet.



Ju e dini që eksperimenti i korsive për mjetet e dedikuara vetëm për autobusët është një eksperiment i suksesshëm, ju vetë e shikoni që aty ku ne kemi korsi të dedikuara puna shkon shkëlqyeshëm, por nga ana tjetër, siç e dini ju, e dimë dhe ne, e shohin dhe të gjithë qytetarët që sasia e këtyre korsive të dedikuara është minimale, në raport me pjesën tjetër që është e pakrahasueshme në gjatësi segmentesh, ku duhet të përballemi me problematikën tërësore të trafikut, kështu që ne duhet të fusim korsitë e dedikuara mes vitit 2010 dhe 2011, në 23 rrugë të tjera të kryeqytetit që do të impaktojnë me patjetër shërbimin tuaj pozitivisht dhe që do u japë qytetarëve më shumë garanci dhe më shumë akses në transportin publik, me të cilin mund të përshkohet më lehtë një segment që me transportin privat dhe me veturën private bëhet me më shumë vështirësi, për shkak të trafikut.



Nga ana tjetër, besoj se e dini dhe është një gjë që e keni kërkuar dhe të gjithë sëbashku kemi arritur ta vëmë në lëvizje, ngritjen e Qendrës së Kontrollit të Trafikut dhe të Menaxhimit të Trafikut me një sistem të ri IT – je, të menaxhimit të transportit në tërësi ku do t’i japim prioritet transportit publik. Kjo qendër tashmë është e financuar, është e projektuar për zbatim, praktikisht fillon projekti i zbatimi në harkun e këtij viti dhe përfundon, përsëri sipas parashikimit tonë, brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm. Kjo do na japë mundësi që të kemi një sistem modern kontrolli të menaxhimit të trafikut në të gjithë territorin e Tiranës, me kamera dhe në rrugë kompiuterike, që pastaj do të lehtësojë edhe 100 për qind edhe punën e forcave të rendit, të cilat janë të anagazhuara, qoftë në nivelin e qeverisjes kombëtare, qoftë edhe në nivelin e qeverisjes vendore për sigurinë dhe respektimin e rregullave të qarkullimit në rrugë .



Këto janë pak a shumë gjërat që unë do të doja të ndaja me ju, duke iu kërkuar që të kemi një fluks të ri investimesh nga ana juaj, në linjat e transportit. Ju keni bërë jo pak, edhe keni investuar jo pak. Ambicja për ta përmirësuar shërbimin duket në radhë të parë tek këto investime që duhet të rriten, për të shkuar drejt një shërbimi që të jetë akoma më i denjë për një qytet europian.



Na duhet të arrijmë një rinovim të Parkut të Mjeteve, ku të vëmë në shërbim të qytetarëve mjete të reja për çdo linjë (një fjalë e lehtë për t’u thënë, por ju e dini që është një punë shumë e madhe). Na duhet gjithashtu të riorganizojmë edhe sistemin e informimit dhe raportin me përdoruesit. Kjo është shumë e rëndësishme. Ne kemi një projekt-ide dhe shpresojmë që së shpejti të ulemi me financuesit e mundshëm të një projekti të tillë dhe pastaj ta ndajmë edhe me ju këtë ide, për të vendosur sistemin e biletave elektronike, sistemin elektronik të kontrollit të biletës në autobus. Autobusët tuaj në përgjithësi e kanë sistemin si infrastrukturë të instaluar, por është një sistem që nuk funksionon këtu. Vendosja e sistemit të biletës me kontrollin elektronik do u lehtësojë shumë juve vetë, do të na ngarkojë ne me më shumë përgjegjësi për kontrollin, në mënyrë që të ndihmohet edhe puna juaj dhe që autobusët të mos kenë një numër jashtë standartit të shkelësve të këtij rregulli, sepse vetvetiu mënyra se si funksionon kjo, kërkon një bashkëpunim shumë të afërt me atë të operatorit privat që menaxhon linjën dhe pushtetit vendor nëpërmjet inspektorëve të kontrollit, sepse juve do u bjerë të bëni shërbimin, ne do të na bjerë të kontrollojmë që ky shërbim të mos abuzohet nga ata që hyjnë kundravajtës në një sistem të tillë. Ky është një projekt ambicioz. Do të shikojmë në rast se mund ta vëmë në lëvizje dhe me të pasur shenjën e parë poziitve për ta vënë atë në lëvizje, do t’ju informojmë të ulemi bashkarisht dhe të shikojmë se si kjo bëhet, sepse nuk jemi në kushtet kur këto gjëra mund të vihen në lëvizje mekanikisht, sipas standarteve të Europës ku duam të integrohemi, por ku s’jemi akoma të integruar dhe për këtë arsye duhet të shikojmë specificitetin e gjërave dhe problemet e veçanta që hasim dhe që janë probleme tipike, karakteristike të lidhura me territorin këtu dhe nuk janë probleme të njohura sot në Europë, pasi janë të kapërcyera kush e di se sa vite më parë”.



Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj çështjeje, Bashkia e Tiranës ka bërë në vitin 2009 të gjitha vlerësimet dhe analizat e nevojshme për zhvillimin më të mirë të transportit në qytet dhe ka hartuar kështu Masterplanin e Transportit, për një Zhvillim të Qëndrueshëm për qytetin e Tiranës.



Sipas kësaj analize rezulton se përsa i përketintensitetit të lëvizjes, në qytetin e Tiranës, rreth 75% e qytetarëve të intervistuar lëvizin sot rregullisht nga ora 6.00-9.00;



Po t’i referohemi të dhënave, rezulton nga ana tjetër se:



- 36% e qytetarëve përdorin mjetin bus (pra transportin publik).

- 28% janë këmbësorë

- 21 % përdorin mjete private



Aktualisht Tirana, në krahasim me qytete të tjera, në vende të tjera ka ende për fat të mirë, një shkallë të kënaqshme të përdorimit të transportit publik dhe një shkallë më të ulët motorizimi (21% e popullsisë). Sot qytetarët e Tiranës përdorin ende shumë transportin ekologjik: transport publik, këmbësorë dhe biçicleta, por sipas analizës projektohet një rritje shqetësuese për trafikunë, e shkallës së motorizimit (pra numrit të makinave).



• Mbi Transportin Publik sot-Çfarë synohet të përmirësohet/arrihet?



Shërbimi i Transportit Publik (SHTS) në Tiranë u “ringrit” dhe u bë funksional për qytetarët në vitin 2002. Sigurisht sot, me investimet e Bashkisë së Tiranës në rrjetin rrugor dhe me investimet e operatorëve në linja, shërbimi është plotësisht funksional.



Por, sot sfida e Bashkisë së Tiranës është:



• zgjidhja e disa prej aspekteve më të rëndësishme dhe problematikave të shërbimit;

• rritja e standartit të shërbimit dhe komoditetit të qytetarit, sidomos kjo e krahasuar me standartet e vendeve të tjera europiane, në kuadër të rrugës së integrimit në BE.



Disa nga çështjet që kërkojnë më shumë vëmendje si dhe ndërhyrje për përmirësim, sot janë:



• frekuenca (problemet me oraret, vonesat për shkak të trafikut);

• kushtet e komoditetit dhe të sigurisë në bord të qytetarit;

• rritja e aksesit për përdorues të caktuar të transportit (pasagjerët me akses të kufizuar, si nënat me fëmijë, personat me aftësi të kufizuara etj)

• kosto e përballueshme e shërbimit, por duke rritur investimet në mjetet e linjës;

• rritja e mbrojtjes për mjedisin, për shkak të shkarkimeve të mjeteve te transportit publik



Duke e vlerësuar të rëndësishëm transportin publik, drejt zbatimit të një koncepti multimodal të lëvizjes në qytet, Bashkia gjatë viteve 2010-2011 ka hartuar dhe po vë në zbatim projekte për të fuqizuar 2 komponentët e parë të lëvizjes transporti publik dhe lëvizja këmbësore, përkundrejt lëvizjes me makina/mjete private.



√ Projekte të Bashkisë së Tiranës



Në vitet 2010-2011 do të zbatohen të pakten 4 grupe projektesh të rëndësishme për transportin publik, sipas elementeve:



Infrastrukura rrugore:



1.Investimet në skemën e rrjetit rrugor/infrastrukturën rrugore në qytet që rrisin aksesin dhe mundësinë e lëvizjes së mjeteve të transportit publik do të vazhdojnë me prioritet në 2010 dhe 2011.



Rruga-prioriteti në lëvizje



2.Këtë muaj fillon nga puna projekti më i madh i Bashkisë për lëvizjen multimodale, që është “Projekti i Transportit Multimodal: Korsitë e dedikuara të autobuzëve, bicikletave dhe këmbësorëve”/Faza I (2010) dhe Faza II (2011), për 23 rrugë të qytetit.



Menaxhimi i lëvizjes dhe Infomobiliteti



3.Ngritja e Qendrës së Kontrollit dhe të Menaxhimit të Trafikut, ku me sistemet e reja IT të menaxhimit të transportit publik do të prioritizohet transporti publik (2010-2011);



Mjetet e Transportit Publik



4.Paketën për “Përmirësimin e kushteve të komoditetit dhe të lëvizjes në Shërbimin e Transportit Publik”



√ Projektet në bashkëpunim me operatorët e shërbimit

-Operatorët do të duhet të bëjnë investime të reja në mjetet e transportit dhe në drejtim të rritjes së cilësisë së menaxhimit të shërbimit



Masat që propozohen:



Duke konsideruar këto të dhëna si dhe orientimin që Bashkia e Tiranës ka zgjedhur për një qytet me ambjent cilësor urban, ku patjetër transporti ka një peshë kryesore, është hartuar një seri masash, ndër të cilat ajo e riorganizimit të vetë shërbimit.



Në këtë proçes konsiderohen si të rëndësishme:



• Një rinovim i parkut të mjeteve, ku synohet të vihen në shërbim të qytetarëve mjete të reja për çdo linjë (pjesa më e madhe e investimeve do të kryhen në vitet 2010-2011, por investime të reja do të jenë të shtrira përgjate të gjithe afatit 5 vjeçar të shërbimit).



• Investimet do të konsiderojnë tashmë si të domososhëm ato që quhen “kushtet e komfortit dhe aksesibilitetit të shërbimit”, kjo duke futur në vijim mjete me:



-ajër të kondicionuar

-hyrje e lehtë (aksesi) në mjete bus_ platformë e sheshtë.

-autobusë të pajisur me platformën për njerëzit me aftësi të kufizuar.

-siguria në bord



• sisteme kamerash



-sistemet e monitorimit, kontrollit të flotës së mjeteve



• monitormi dhe kontrolli do të realizohen nga sisteme të teknologjisë së lartë që mundësonë evidentimin e pozicionimit të mjetit, kontrollin dhe menaxhimin e tij nëpërmjet sistemeve GIS, pa nevojitur më sisteme të organizimit të shërbimit, nëpërmjet forcave të shtuara njerëzore.



• Duke riorganizuar Sistemet e Informimit dhe Raportin me përdoruesit e shërbimit (qytetarët)



-Rrjetin e ri të linjave të shërbimit.

-Stacionet e mjeteve bus.

-Oraret e shërbimit.

-Frekuencën e shërbimit

-Sistemet e informimit stacion më stacion



Kjo do të realizohet nëpërmjet:



-Sistemit “Infomobility” të Qendrës së Kontrollit të Trafikut;

-Sistemet operatore të Qendrës së Kontaktit me Përdoruesin;

-Projektit “Infopoint-s “që synojmë të zbatojmë (më një shtrirje të gjerë pikash në të gjithë qytetin).



• Duke organizuar forma për të bërë të mundur pjesëmarrjen e përdoruesve në përcaktimin e performancës, duke mundësuar reklamimet ndaj tij, duke vënë në dispozicion numrat telefoni për qytetarët, duke mundësuar një sistem të ri për verifikimin e ankesave dhe sanksionet në lidhje me to, si dhe duke futur sistemet e siguracioneve të pronës, sigurisë së jetës dhe shëndetit të pasagjerëve ne bord dhe përgjegjësinë teknike të operatorit, në një gamë sa më të gjerë të mundshme në këtë shërbim.



• Gjithashtu duke mirëpërcaktuar rregulla për personelin e shërbimit të transportit, si rregulla të përgjithshme, ashtu dhe rregulla gjatë udhëtimit dhe deri në kodin e sjelljes dhe aspektet personale të personelit. (Rregullorja e Personalit të Shërbimit dhe Rregullorja e Pasagjerit); Për këtë Bashkia po harton një platformë të integruar që quhet “Karta e Mobilitetit”.

• Për të gjitha sa më sipër, për të drejtat dhe detyrimet e palëve po hartohet një kontratë ku do të ndërfuten përveç sanksioneve dhe forma të reja Sistemi i ri i Raportimit, Monitorimit dhe Kontrollit të Operatorit që:



-Sistemi IT i performancës së shërbimit (kontrolli në kohë reale me GPRS dhe kamera);

-Sistemi i Pikëzimit të sjelljes/performancës së Operatorit: që mundëson humbjen graduale të së drejtës së kryerjes së shërbimit/licensës nëse konstatohen shkelje të përsëritura që bien humbjen e pikëve të parashikuara dhe si pasojë humbjen e së drejtës së mbajtjes së licensës.



04.03.2010

Nuk ka komente:

Posto një koment