e hënë, 29 mars 2010

Bashkia e Tiranës nis rindërtimin e sheshit “Skënderbej”






Ka nisur sot në Tiranë puna për rindërtimin e Sheshit Skenderbej. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ishte prezent në inagurimin e punimeve ku bëri me dije edhe disa detaje të projektit, por edhe të prakticitetit. Ajo ç'ka është problem, tha ai, është trafiku, pasi qytetarët mund të hasin në vështirësi, por kërkoi mirëkuptim, pasi bëhet fjalë për një projekt madhor.

Sot sheshi ishte i rrethuar me rrjetë teli dhe pothuaj i pakalueshëm për makinat. Rama tha se "pikërisht trafiku na ka penguar t'a nisim këtë investim më parë, pasi godina e INSIG është ende e pashpronësuar, por do punohet paralelisht për shponësimin e saj". Me prishjen e kësaj godine lirohet totalisht rruga dhe bëhet i munduar devijimi i trafikut përmes asaj që njihet si unaza e vogël e kryeqytetit.

Në fjalën e tij Rama u shpreh se "ky është një projekt i madh dhe i ndërlikuar që realizon bashkia pas një ecurie të gjatë për të ardhur deri këtu. Kjo nisi me një konkurs të veçantë, që u konkludua me fitimin e studios arkitekturoree belge '51N4E', më pas me një financim bujar prej 4.3 miliard Euro, të Emirit të Kuvajtit, dhe me përzgjedhjen e një firme serioze si Mak Albania dhe një supervizori austriak".

"Vendi ku jehon historia do të jetë edhe pasqyrë e shekullit të ri", tha Rama, duke shtuar se kjo do të jetë vetëm hapësira e qytetarëve. Projekti është i ndërlikuar dhe do të zgjasë në kohë pasi do ketë edhe një infrastrukturë të mirëfilltë nëntokëse që do të kërkojë kohë dhe investime po aq sa infrastruktura mbitokësore. Ujrat që do të përdoren në shesh, si për shatërvanin, për vaditjen e pemëve, apo për të organizuar lojra për fëmijët, do të jetë ujë shiu që do të përpunohet dhe do të përdoret më pas. Rama kujtoi edhe detajin tjetër të projektit, gjelbërimin me të cilin do të jetë i rrethuar sheshi.

Rama pranoi se kompleksiteti i projektit do të sjellë vështirësi për trafikun. Si fillim nuk do të bllokohet i gjithë sheshi por do të punohet në blloqe pune më pas me hapjen totale të unazës së vogël që është zënë nga godina e INSIG, sheshi "Skenderbej" nuk do të jetë më i makinave. Rama nuk dha afate kohore se kur përfundon ky projekt gjigand, por tha se punimet janë komplekse, ç'ka nënkupton se duan kohë të realizohen.

Projekti i plotë i 51N4E: Ja si do të jetë Sheshi

Qendra e Tiranës është konceptuar si një park, ose si një shmangie e kaosit siç e cilëson arkitekti që paraqiti projektin. Sheshi do të rrethohet nga një panteon bimësie dhe do të jetë i mbrojtur dhe i padukshëm deri në momentin që hedh hapin brenda tij. Asnjë nga ndërtesat ekzistuese nuk do të shembet, monumeti Skënderbeu në kalë, Opera e Baletit, Muzeu Kombëtar, Banka e Shqipërisë dhe Xhamia do të jenë të gjitha aty, por të rifreskuara dhe të kompozuara.

"Asnjë monument apo identitet nuk do të mëvehtësohet: por të gjithë nënvizohen rreth e rrotull hapjes së sheshit, duke përfaqësuar një të kaluar të përbashkët mbi të cilën mund të ndërtohet", shjegon arkitekti.

Masterplani propozon ta shkëpusë trafikun nga sheshi dhe të krijoje një shesh këmbësoresh me konstruksione të reja.

Brezi, pjesa anësore e sheshit është njëherësh një tërheqje në vetvete. Ai përmban kopshte, mjedise të hapura për aktivitete, bare dhe kafe. Skajet e sheshit do të jenë një unaze hapësirash dhe atmosferash të ndryshme. Kjo unazë do të jetë një pjesë natyrale e Bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Brezi do të strehojë kryesisht programe publike, disa ekzistuese, të tjera të alternuara, e disa të tjera të reja:

Ndërtesa e Operas do të plotësohet me një hyrje në përmasa të mëdha duke mbuluar oborret e jashtme ekzistuese, për të shërbyer për kongrese dhe ngjarje te rëndësishme.

Xhamia kornizohet nga një dysheme e re, pak më e ngritur për ti dhënë asaj vetë më shumë hapësire dhe për ta bërë të duket sikur është ulur mbi një qilim madhështor.

Ndërtesat e ministrive janë trajtuar në një linjë me kopshtin e fundosur, duke shtuar pemë të mbjella që mbulojnë gjithë hapësirën e kopshtit dhe të rrugës.

Teatri i Kukullave e gjen veten në shesh dhe lidhet me një hapësire të re të ndërtuar përpara tij duke ripërdorur pemët ekzistuese.

Banka Kombëtare, merr se fundi vëmendjen që meriton, duke shmangur çdo ndërhyrje vetëm duke ndryshuar platformën përpara saj.

Qendra Tregtare ngjitur me bankën është ripropozuar. Ndërtesa është e ngritur nga toka për të lejuar një hapësire e cila krijon një hyrje të madhe në shesh, duke kornizuar njëherësh kolonadën e ndërtesës se Operës.

Funksionet tregtare plotësohen nga një hapësire ekspozitash për ngjarje kulturore.

Hapësira kulturore do të menaxhohet nga qyteti dhe mund të bëhet partner konkurrent i Galerisë Kombëtare të Arteve. Edhe pse teknikisht i përjashtuar nga konkurrimi, ripropozimi i këtij projekti është pjesë integrale e zhvillimit të ri të sheshit.

Lidhja e Muzeut Kombëtar me vendin ku qëndron është ndryshuar duke riorganizuar shkallët kryesore. Fasada e tij një-dimensionale do të ndryshohet në një tipografi multidireksionale.

Kulla Qytetare (the Civic Tower) do të jetë për shërbime publike të qytetit, ku qytetaret e Tiranës mund të shkojnë për ceremonitë e jetës së tyre, si martesa, ardhja në jetë e një fëmije, etj. Ndërtesa jo vetëm do të përmbajë këto shërbime por do të ketë edhe ballkone publike që shohin sheshin dhe qendrën e qytetit.

Një detaj tjetër i rëndësishëm është se sheshi nuk do të i sheshtë. Ç'ka do të thotë se sheshi do të jenë si kodrinëz me ngjitje të butë në qendër (pjerrësia 3 %). Pjesa e mesit do të arrijë deri në 2.3 m mbi lartësi, krahasuar me skajet.

Ai do të jetë i pajisur me një seri tiparesh ujore, sheshi mund të mbushet ose të thahet. Ky mekanizëm krijon një konstelacion gjithmonë në ndryshim gropash, pellgjesh dhe njollash reflektuese.

Pamja e sheshit lidhet me rrethanat dhe ngjarjet, me motin apo stinët... Sheshi mund ta ndryshoje fytyrën e tij totalisht: nga monumentale, boshllëk zyrtar, në konfuzionin e një bregu artificial. Prezenca e ujit përkohësisht mund të aktivizoje njërin nga skajet ose mund të fokusohet në vetë sheshin. Parë nga skajet, pjesë të sheshit papritur mund të mbushen me fragmente refleksesh të ndërtesës dhe qiellit.

Sheshi nuk bëhet "më i njerëzishëm" duke reduktuar shkallën e tij: ai bëhet tërheqës nga çfarë ofron, njëherësh brenda e jashtë tij. Ditën, brezi i tij do të ofrojë komfort, hije dhe mbrojtje. Sheshi vetë do të jetë disi sfidant, duke ofruar një eksperiencë provokuese. Sheshi do të mbushet nga skajet por asnjëherë pa tension. I parë nga hija, qendra përherë do të ndjehet si tepër e ndriçuar. Ndërsa lenë zonën e hijes dhe hyjnë në shesh, gjithkush do të ndjejë një ndryshim të menjëhershëm të diafragmës në sytë e tij. Duke e përshkuar atë, disa njolla gjithmonë do të duken të lagura duke i detyruar njerëzit të ndryshojnë shtegun që po ndërmerrnin.

Natën, sheshi do te jete e kundërta e tij: i ndriçuar fort përreth brezit, duke krijuar një zonë muzgu në qendër. Të qenurit në qendër të qytetit do të jetë një moment që do të jetë vështirë të harrohet.

Nuk ka komente:

Posto një koment