e hënë, 26 dhjetor 2011

Firma “Geci” blen 21 milionë euro të gjitha aksionet e “15-katëshit”




Një nga godinat më të përmendura në Tiranë si pikë referimi, 15-katëshi, është shitur për 21 milionë euro nga ish-pronarët e tij. Dhjetë aksionerët që e kishin në pronësi deri dje këtë godinë, kanë “transferuar” te një aksioner i vetëm të drejtën e pronësisë. Sipas një komunikate për shtyp, bëhet me dije se blerësi i ri i “Tirana International Hotel” është kompania “GECI” sh.p.k., në pronësi Ramë Gecit. Kjo kompani operon prej kohësh në vend në infrastrukturë, kryesisht në ndërtimin e rrugëve. Shitja e “Tirana International Hotel” vjen pas procesit të privatizimit që ish-godina shtetërore kaloi në vitin 2004 nën mbikëqyrjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në atë kohë 15-katëshi i kaloi për menaxhim kompanisë shqiptare “Albania Consortium”, e cila e zhvilloi aktivitetin e saj në veprimtarinë e hotelerisë dhe që kishte 25 aksionerë. Kjo kompani arriti që të fitonte ankandin e shpallur në atë kohë me shumën 5.2 milionë USD, edhe pse interes për këtë privatizim kishin shfaqur edhe 50 kompani të tjera. Ky interes i lartë e ka shoqëruar gjatë gjithë kohës 15-katëshin edhe për faktin që është një nga godinat më të mëdha në sektorin e hotelerisë. “Tirana International Hotel” është një pronë 17 mijë metra katrorë, ka rreth 170 dhoma, 11 salla aktivitetesh të ndryshme me kapacitete që shkojnë deri në 450 veta, me salla fitnesi, sauna, pishinë etj. Qysh me ndërtimin e godinës, 15-katëshi ka qenë një pikë reference për orientim. Profili i operimit në sektorin e hotelerisë ka qenë i tillë që prej vitit 1974, vit kur ai është ndërtuar, ndërkohë që në të njëjtin profil e gjejmë edhe sot. http://www.panorama.com.al/ekonomi/firma-%E2%80%9Cgeci%E2%80%9D-blen-21-milione-euro-te-gjitha-aksionet-e-%E2%80%9C15-kateshit%E2%80%9D/

Nuk ka komente:

Posto një koment