Te rejat me te fundit nga Arkitektura dhe Fotografia Shqiptare do ti gjeni vetem ne kete blog.
e shtunë, 2 tetor 2010
"Qemal Stafa" bëhet ekstra-modern
Prishtinë, 1 tetor - Një stadium që do të bëjë krenar gjithë tifozët e Kombëtares shqiptare në futboll, do të nisë të ndërtohet në nëntor të këtij viti, ndërkohë që punimet do të përfundojnë në nëntorin e vitit 2012, si dhuratë për 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Stadiumi kombëtar "Qemal Stafa" në Tiranë, për pak javë do të nisë së konstruktuari në tri faza dhe pamja përfundimtare e tij do të jetë magjepse. Bazuar në projektin e bërë nga firma spanjolle "RFA Fenwick Iribarren Architects" dhe të siguruar nga "Koha Ditore", nga lart stadiumi do të ketë pamjen e hartës së Shqipërisë, ulëset do të jenë tërësisht të kuqe, pista do të zhduket për t'i lënë hapësirë zgjerimit të kapacitetit të ulëseve. Nga brenda, stadiumi do të jetë katror i stilit anglez, me shumë hapësira VIP dhe kapaciteti do të rritet nga 18 mijë sa është tani në 33 mijë ulëse. Zyrtarë të Federatës së Futbollit të Shqipërisë pohojnë se stadiumi do të jetë i rangut të pesë yjeve sipas standardit të UEFA-s dhe FIFA-s dhe se në të mund të zhvillohen edhe ndeshjet më të rëndësishme të Ligës së Kampionëve.
"Kemi kohë që punojmë për këtë projekt. Është dhurata më e bukur, falënderojmë gjithë grupet e interesit, shtetin shqiptar, UEFA-n dhe FIFA-n. Shqipëria është i vetmi vend që s'ka stadium modern, por do ta ketë", ka thënë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, të enjten për "Sport Ekspres".
Vlera e këtij projekti llogaritet të jetë 30 milionë euro, 10 milionë euro do të ndahen nga buxheti i shtetit shqiptar, ndërkohë që 20 të tjera nga FSHF-ja, FIFA dhe UEFA. Sipas marrëveshjes, stadiumi do të jetë pronë e FSHF-së në mënyrë që ta lërë si hipotekë për të ngritur kredi të mëdha.
http://www.koha.net/index.php?cid=1,43,35893
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment