e shtunë, 23 tetor 2010

Nga 22 tetori tuneli i plotë, me të dyja korsitë. Tiranë-Prishtinë e anasjelltas 30 minuta më shpejtë.

Pjesa veriore e tunelit të Kalimashit do të jetë e kalueshme që nga 22 tetori. Përurimi i tunelit si i plotë, me të dyja koristë, do ta eliminojë pritjen. Në Shqipëri, tash do shkohet edhe për 30 minuta më shpejtë. Pohimet se punëtorët që kanë punuar në tunel do të barten në Kosovë, i mohojnë zyrtarët e Bechtel&Enka.
Hapjes se plotë të tunelit të Kalimashit, do t’ia shohin hairin edhe kosovarët. Kjo sepse rruga për Shqipëri, do të shkurtohet edhe për 30 minuta, pasi në të dy anët e tunelit do të këtë qarkullim pa ndërprerje.

Ndërkaq, bëhet e ditur se që nga 22 tetori, do të jetë i kalueshëm në tërësi tuneli i Kalimashit. Përurimi i galerisë veriore të tunelit, që ishte premtuar lejimi i qarkullimit më 15 tetor, është shtyrë për një javë.

Gjithashtu ka pasur zëra se me përfundimin e galerisë së veriut, punëtorët e mbetur në Shqipëri do t’i bashkohen kantierit të madh të ngritur në Kosovë.

Megjithatë, zëdhënësja e kompanisë “Bechtel&Enka” në Kosovë, Ela Ruqi, ka mohuar se do të ndodhë diçka e tillë.

Sipas saj, prioritet i kompanisë ndërtuese është punësimi i punëtorëve nga Kosova. “Punëtorët nuk barten nga Shqipëria. Bëhet fjalë për projekte krejt të ndryshme”, ka thënë Ruqi, për “Express”.

Ajo ka theksuar se kur është në pyetje punësimi, vlejnë procedurat e zakonshme, pra kualifikimi i punëtorëve dhe kërkesat e tjera të kompanisë.

Nisur nga ecuria e punimeve në galeri, menaxherët patën deklaruar shumë javë më parë, se mesi i tetorit 2010 do të shënonte përfundimin e veprës. Pas bërjes gati të tunelit, kompania “Bechtel-Enka” do t’ia dorëzojë një tjetër kompanie, që do të merret me sigurinë e lëvizjes dhe mirëmbajtjen e tunelit.

Burime të kompanisë pohojnë se punimet në galerinë veriore kanë përfunduar duke përfshirë edhe sinjalistikën, kamerat e sigurisë dhe çdo gjë tjetër, por shkak për shtyrjen e përfundimit zyrtar, janë bërë disa probleme të shkaktuara nga reshjet e shiut, si dhe ndonjë problem me energjinë elektrike.

“Kemi pasur disa dëmtime të vogla në argjinaturën e hyrjes në anën e Thirrës, si dhe ndonjë problem me energjinë elektrike, për këtë arsye është shtyrë hapja e galerisë”, ka pohuar një nëpunës i kompanisë.

Ai shtoi se me këtë rast “Bechtel-Enka” i jep fund gjithë angazhimit të saj në këtë rrugë, e cila përbën investimin më të madh infrastrukturor në Shqipëri të kryer ndonjëherë.

Përfundimi i plotë i galerisë veriore të tunelit të Kalimashit që do të shënohet aty nga data 22 tetor 2010, do të tregojë edhe përfundimin e veprës në tërësi, si dhe do të shkurtojë akoma më shumë kohëzgjatjen e udhëtimit Tiranë-Prishtinë e anasjelltas.

“Me hapjen e galerisë veriore ne fitojmë 30 minuta kohë në udhëtim, sepse tani nuk ndalojmë të presim sa të dalë karvani i makinave nga ana tjetër, por secili do të udhëtojë pa ndërprerje”, tregon një zjarrfikës nga Kukësi, duke shtuar se me hapjen e galerisë së dytë lehtësohet mjaft edhe puna e efektivit të sigurisë.

Galeria veriore e tunelit u vu në funksion për disa muaj në verën e vitit 2009, siç u tha në komente të ndryshme, për turizmin dhe fushatën elektorale. Kjo galeri në atë kohë ende nuk ishte përfunduar plotësisht, por u hap vetëm për pak muaj.

Në vjeshtën e vitit 2009 ai u mbyll sërish, për të realizuar pjesën e mbetur të pabetonuar, si dhe të disa ndërhyrjeve të tjera që erdhën pas një shembjeje në tunelin jugor, ndërhyrje që zgjatën një vit të plotë.

Nga ana tjetër, tuneli i Kalimashit në verën e këtij viti u rivu në funksion me anë të galerisë jugore, e cila ndryshe nga një vit më parë, u hap krejtësisht e përfunduar, duke i dhënë vendit përfundimisht një rrugë të shkurtër të përhershme të lidhjes ekonomike dhe kombëtare me Kosovën. Kjo galeri do të mbahet mend edhe për shembjen që ndodhi në dimrin e shkuar.

Nga:oralajme

Nuk ka komente:

Posto një koment