Te rejat me te fundit nga Arkitektura dhe Fotografia Shqiptare do ti gjeni vetem ne kete blog.
e mërkurë, 14 prill 2010
Rama prezanton fazën e dytë të punimeve në sheshin “Skënderbej”
Rama prezanton fazën e dytë të punimeve në sheshin “Skënderbej”
"Sfidë e përbashkët me qytetarët, për të sjellë sheshin në shekullin e ri"
Kryebashkiaku Edi Rama, drejtues dhe ekspertë të Bashkisë së Tiranës kanë prezantuar fazën e dytë të punimeve në sheshin “Skënderbej”, fazë e cila ka të bëjë me fillimin e punimeve në tre zona rreth dhe përmes sheshit ekzistues.
1.Do të fillojnë punimet për kanalizimet dhe galerinë nëntokësore, në zonën para Pallatit të Kulturës.
2.Do të fillojnë punimet në galerinë nëntokësore Lindje – Perëndim, në seksionin para Bankës së Shqipërisë, deri në fillimin e rrugës “Luigj Gurakuqi”.
3.Do të fillojë realizimi i punimeve të projektit, në zonën e lulishtes mbas Monumentit.
Kjo fazë e re e punimeve do të kërkojë edhe kufizimin ose devijimin e trafikut, në disa zona të sheshit, për të mundësuar normalitetin e këtyre punimeve.
Duke vënë theksin tek nevoja e bashkëpunimit me qytetarët, tek nevoja e pjesëmarrjes së të gjithëve në këtë projekt, përmes një këmbënguljeje dhe durimi që është i domosdoshëm në këtë fazë, Kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh: “Sot u njohët me prezantimin e detajuar të fazës tjetër të punës e cila tashmë përbën një sfidë të përbashkët edhe me qytetarët, pasi do të fillojmë të menaxhojmë në një mënyrë të ndryshme trafikun rreth dhe përmes sheshit, duke kaluar në pjesë të sheshit që do të bllokohen dhe pjesë të tjera që do të mbeten të hapura për trafikun.
Është një fazë e rëndësishme e punës, sepse në këtë proçes ne jemi duke përgatitur të gjitha kushtet për realizimin e infrastrukturës nëntokësore dhe njëkohësisht kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, për të mundësuar një bashkëpunim me çdonjërin prej tyre, në mënyrë që ky projekt që është një projekt i përbashkët, të jetë një projekt i realizuar brenda të gjitha fazave të parashikuara.
Puna më e vështirë dhe më e ndërlikuar është puna e përgatitjes së infrastrukturës nëntokësore, e hapjes së galerive të shërbimeve të të gjitha rrjeteve të nëntokës dhe njëkohësisht e krijimit të asaj baze të domosdoshme, për të pasur nesër gati pjesën arkitektonike dhe artistike.
Unë dua të vë theksin tek nevoja e bashkëpunimit me qytetarët, tek nevoja e pjesëmarrjes së të gjithëve në këtë projekt, përmes një këmbënguljeje dhe durimi që është i domosdoshëm në këtë fazë.
Ndryshimi i rrugëve të qarkullimit do të bëhet me faza, nuk do të ketë një bllokim të menjëhershëm dhe tërësor të sheshit, sepse kjo do të dëmtonte seriozisht të gjithë rrjedhshmërinë e trafikut në Tiranë dhe do ta bënte praktikisht të pamundur qarkullimin.
Është një ndryshim që do të fazohet pjesë – pjesë, në koordinim të plotë me Policinë Rrugore, e cila ka të gjithë eksperiencën por edhe disponibilitetin për të garantuar këtë proces dhe është një domosdoshmëri për të bërë të mundur që punimet të vazhdojnë të kryhen, me një ritëm të lartë dhe njëkohësisht rrjedhshmëria e trafikut të mos pengohet, në masën që ta bëjë të pamundur qarkullimin rreth sheshit.
Unë nuk dua të hyj në asnjë polemikë, e kam thënë që në krye të herës dhe e përsëris. Ky është një projekt madhështor, një projekt ambicioz, një projekt i ndërlikuar, është një projekt shumëqendror për kryeqytetin, por edhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Tiranë apo që jetojnë në Shqipëri e jashtë Shqipërisë dhe këtu duhet bashkërendimi i të gjitha forcave dhe njëkohësisht duhet një energji pozitive. Çdo energji negative dhe destruktive nuk është në të mirën e kësaj pune, që e unë e konsideroj si një punë të përbashkët. Ndërtimi që ne kemi filluar, ndërtimi i sheshit, duke marrë në konsideratë rëndësinë historike dhe duke vlerësuar aspektin tradicional, por edhe duke sjellë tashmë këtë shesh në shekullin e ri, është ndërtimi i një vepre e cila nuk ka asnjë arsye të bëhet pjesë e një polemike të ditës, që fillon me ditën dhe mbaron me ditën”
Pas fazës fillestare të punimeve që u fokusua në zonën e Monumentit të Skënderbeut, tani fillon një aktivitet i ri punimesh.
Segmentet rrugore të cilat do të mbyllen gradualisht për trafikun, në këtë fazë të punimeve do të jenë:
1.Vazhdimi i rrugës së Kavajës para Bankës së Shqipërisë.
2.Pjesa kaluese e sheshit, në zonën midis lulishtes përpara Bankës së Shqipërisë dhe Monumentit të Skënderbeut.
3.Kufizimi i lëvizjes së automjeteve, në kalimin para Pallatit të Kulturës.
4.Kufizimi i lëvizjes së automjeteve, në kalimin para Muzeut Kombëtar.
Ky plan qarkullimi ka si pjesë përbërëse:
• Fillimin e funksionimit të Unazës së Vogël, në pjesën perëndimore të saj (seksioni mbara Muzeut Kombëtar), me një drejtim lëvizje, duke siguruar rrjedhshmërinë e qarkullimit të automjeteve;
• Hapjen e trafikut për automjetet në Urën e Re, në hyrje të rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, me qëllim plotësimin e Unazës së Vogël;
• Ndryshimin e drejtimit të lëvizjes në rrugën “Qemal Stafa” (rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit” do të bëhet me dy drejtime lëvizjeje);
• Heqjen e parkimeve ne rrugën “Mine Peza”, nga të dy krahët;
• heqjen e parkimeve në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit” në një krah;
• Heqjen e parkimeve e cila përfshin rrugën “Abdi Toptani”;
• Në rrugën mbrapa Pallatit të Kulturës;
• Reduktimi i parkimeve, në rrugën midis Bankës së Shqipërisë dhe selisë së PS-së.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment