Qendra Multimediale “TEN” është e pajisur me:
Sallën Qendrore e cila është konceptuar për 130 persona dhe do të kryejë funksionet e mëposhtme:
• Projeksion për filma, dokumentarë, materiale didaktike, prezantime, Poëer Point etj
• Teatër, shfaqje, prova
• Koncerte të muzikës klasike, të lehtë dhe popullore instrumentale
• Pritje zyrtare, me pjesëmarrje të gjerë, mbledhje forumesh komunitare, festime etj
Mexanina e Fëmijëve do të shërbejë si laborator kreativ për grupmoshat 3 deri në 13 vjeç, me grupe jo më shumë se dhjetë veta.
Funksionet e saj janë:
• Pikturë e lirë imagjinare
• Punime me plastelinë e materiale të riciklueshme
• Tregim dhe interpretim historish e përrallash
• Pjesë teatrale të shkurtra për nxitjen e talenteve
• Ndjekje e projeksioneve për fëmijë apo materialeve didaktike
Atriumi i Librit, perla elitare e Qendrës Multivalente e ndërtuar në katin e dytë të ngrehinës me elemente të shumtë transparence, do t’u shërbejë të rinjve për një sërë funksionesh:
• Takimet e librit, prezantime nga vetë autorët për një rreth të kufizuar vizitorësh
• Qarku i leximit, me pjesë të zgjedhura nga botimet e reja apo vepra të shquara të letërsisë; lexim, analizë mbi konceptin letrar, bisedë strukturore etj
• Kursi teatror apo grupet teatrore do të kryejnë provat e memories së tekstit
• Sallë leximi individual
• Pritje zyrtare me numër të kufizuar, takime, prezantime
Dhoma Muzikore kryen funksion didaktik, në bazë të një axhende të krijuar nga drejtuesi i Qendrës. Larmia e grupeve do të vendoset në bazë të kërkesës. Një grup do të përbëhet maksimalisht nga 5 veta.
Funksionet e Dhomës së Muzikës janë:
• Kursi i trajnimit vokal (këngë)
• Kursi i veglave muzikore (kitarë, piano, violinë)
• Kursi i kërcimit
• Regjistrimi vokal i demove
• Trajnime për spiker radiofonik
(Brenda dhomës së muzikës parashikohet të funksionojë një radio modeste)
Laboratori Pamor do të jetë ambjenti ku piktura, instalacioni dhe fotografia do të kenë hapësirën e tyre të dedikuar. Ky ambient do të jetë i hapur për të gjithë ata që adhurojnë artet pamore, nga mosha 14-60 vjeç.
Funksionet e Laboratorit Pamor janë:
• Kurset e pikturës
• Kurset e instalacionit
• Design - Grafik
• Fotografi
• Ekspozim Arti
Korridori i Ekspozimit do të kryejë përgjatë gjithë kohës funksionin e një galerie arti tematik. Një rëndësi të veçantë do t’i kushtohet aksesit të Internetit në godinë, si një element i rëndësishëm për funksionimin dhe mbështetjen e të rinjve, përmes ofrimit të një shërbimi modern.
Nuk ka komente:
Posto një koment