e hënë, 3 dhjetor 2012

Rrugët, ja cilat do të financojë buxheti i 2013

Milot-Fushë-Krujë dhe studim projektimi për zgjerimin e Tiranë-Durrës.
Plani nga Unaza e Madhe e Tiranës te Rruga e Arbrit.
Buxheti i 2013-s, në një masë të madhe hap pak projekte të reja infrastrukturore, më shumë financon ato të filluara, ose u jep paratë kompanive që kanë përfunduar me kohë punimet në një segment të caktuar. Por, përkundër kësaj, fokusi i buxhetit mbeten akse shumë të rëndësishëm të infrastrukturës rrugore në vend, që synojnë shkurtimin e distancave dhe nga ana tjetër, edhe përmirësimin e situatës së trafikut. Kjo e fundit në fakt, më shumë lidhet me Tiranën, ku buxheti do të vijojë të financojë projektin për Unazën e Madhe. Po kështu, superstrada Tiranë-Durrës që mbledh edhe trafikun më të lartë në vend, do të jetë në fokus për projektin e zgjerimit të saj
Rrugët
Kukës-Morinë do të marrë para nga buxheti për ndërtimin e veprave të artit përgjatë saj. Edhe pse masa më e madhe e parave është dhënë për vitin 2012, edhe viti i ardhshëm do të ketë financim të mjaftueshëm për këtë aks. Rruga e Arbrit është një tjetër rrugë që lakohet aq shumë nga qeveria dhe që për të tria lotet buxheti i vitit 2013 ka të planifikuara fonde. Kështu, për lotin e parë nga Ura e Brarit në hyrje të tunelit të Qafë-Murrizit janë parashikuar 45 milionë lekë, për pjesën nga dalja e Urës së Vashës në Bulqizë, janë parashikuar 46 milionë lekë, për lotin e dytë të po këtij aksi janë parashikuar 40 milionë lekë dhe po kaq edhe për të tretin. Një tjetër rrugë që do të financohet me buxhetin e vitit të ardhshëm është edhe ajo e dublimit të superstradës Milot – Fushë-Krujë, ku në total janë gati 335 milionë lekë për gjitha lotet e projektit. Bypass-Plepa-Rrogozhinë do të përfitojnë para edhe këtë vit nga buxheti, ku në total për këtë aks do të shkojnë rreth 371 milionë lekë. Unaza e Tiranës është një tjetër projekt që do të financohet nga qeveria për përfundimin e saj dhe për lotet e saj janë parashikuar 33 milionë lekë, kurse për aksin nga Unaza e Re e Tiranës në Mullet, qeveria ka vënë në dispozicion një fond financiar 96 milionë lekë që do t’u shkojë kompanive. Puna duket se do të vijojë edhe për studim-projektimin e superstradës Tiranë-Durrës, e cila nga studimi i konsulentit që u pagua nga KE vlerësohet si një “njollë e zezë”, ku ndodhin shumë aksidente. Kjo superstradë do të zgjerohet dhe për studim-projektimin e saj për vitin 2013. Qeveria ka vënë në dispozicion një fond modest prej 200 mijë lekësh, kur në fakt totali i gjithë projektit është 90 milionë lekë.
Rrugët që financon buxheti
Shuma përfshin në total të gjitha lotet e një rruge
• Ndërtim rruga Kukës-Morinë 116 milionë lekë
• Ndërtim Rruga e Arbrit 215 milionë lekë
• Ndërtim rruga Milot-F. Krujë 335 milionë lekë
• Ndërtim rruga Bypass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë 371 milionë lekë
• Ndërtim rruga e Porto-Romanos – Durrës 45 milionë lekë
• Ndërtim rruga Qukës Qaf-Plloç 38 milionë lekë
• Unaza e Madhe e Tiranës 33 milionë lekë
tuneli i Thirres
Qeveria nuk pret që menaxhimin e mirëmbajtjes dhe operimin e Tunelit të Thirrës në vitin 2013 ta kalojë shumë shpejt te privati. Të paktën kështu rezulton nga buxheti i vitit të ardhshëm, ku planifikohen që për Tunelin e Thirrës dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të harxhohen 110 milionë lekë, kur në total e gjithë vlera e projektit është 155 milionë lekë.
Hekurudhat
Në total, buxheti i vitit 2013 parashikon shpenzime në vlerën 95 milionë lekë për transportin hekurudhor. Të detajuara në tabela, qeveria parashikon që të japë 30 milionë lekë për përmirësimin e gjendjes së infrastrukturës hekurudhore, 45 milionë lekë për riaktivizimin e stacionit hekurudhor Kashar dhe 20 milionë lekë për përmirësimin e gjendjes së mjeteve hekurudhore.

Nuk ka komente:

Posto një koment