e premte, 20 janar 2012

Zonat më të shëmtuara të Tiranës

Aty ku sa herë kalon, ndihesh aq keq, sa të vjen turp që jeton në Tiranë. Duke i rënë rreth e qark kryeqytetit tonë, të shenjosh vendet që lënë shijet më të pakëndshme apo deri të neveritshme që mund të lërë ky qytet-kryeqytet-metropol. Disa nga zonat më të shëmtuara që kontrastojnë skajshëm me më të bukurat në Tiranë, që rezultojnë të pamundura për t’u ndryshuar deri më tash. Si tipare përcaktuese kanë vlejtur jo vetëm pallatet, baret dhe restorantet luksoze, por dhe mjedisi dhe silueta urbane rreth e qark. Jo vetëm rrugët e shtruara, por dhe ndotja e ajrit dhe ajo akustike. Madje, të dytat kanë qenë elemente përcaktuese të së bukurës apo jo të bukurës, edhe përjashtuese të luksit të të parave. E duke qëndruar e bashkëjetuar edhe fare pranë njëra-tjetrës. Edhe në ato zona qendrore ose fare pranë qendrës së kryeqytetit. Shëmtia e skajshme me bukurinë e skajshme në parametrat që ofron vendi ynë. Ja çfarë kanë analizuar, duke mbërritur në pika të përbashkëta arkitektët Aldo Merkaj, Eluerta Mehmetaj (Shkurtaj) dhe Gjovalin Shytani, përkatësisht të tre studiove të ndryshme arkitekturore në Tiranë. Stacioni i Trenit Një mori gjërash që e bëjnë vërtet ‘nga më të shëmtuarit’. Pavarësisht disa pallateve mjaft luksoze që janë ndërtuar e po ndërtohen rreth e qark aty, që bashkëjetojnë me ndërtesa të rrëgjuara të varfëruara në ekstrem ca më poshtë. Bulevardi Zogu I e ndan këtë zonë si me thikë nga një zonë urbane në një zonë rurale. Pjesa e poshtme e Bulevardit Zogu I gjallon nga ndërtimet e reja dhe rikonstruksioni i rrugëve, ndërsa po të ngjiteni pak më lart, shihni që rruga akoma nuk është rikonstruktuar e plotë dhe ndërtimet rrallë i kalojnë ato pesëkatëshe. Trafiku i rënduar, autobusë të grumbulluar në një sheshqëndrim, që është vetëkrijuar si stacion i transportit ndërurban, sepse nga pamja vetëm një përshtypje të tillë që nuk ta jep. Silueta urbane mbushet plot me ‘hallexhinj’ të veshur keq e fytyrëvuajtur. Prej varfërisë vijnë e grumbullohen aty urban pas urbani, për të blerë lirë tek ‘Treni’ i famshëm për çmimet më të lira të ushqimeve, por dhe rrobave të përdorura, që deri dje shiteshin edhe përtokë. Tregu po me kushte të mjerueshme në të dy anët e një rruge të keqe, së fundi pak më i disiplinuar nga shitjet përtokë, falë ndërhyrjeve të bashkisë. Mori njerëzish, dyqane të vegjël e të pistë anash, trotuare të ngushtë edhe në kryqëzimin kryesor në hyrje të tregut, ku mezi kalohet. Përveç këtyre detajeve, gjithë kohën shoqërohesh nga të bërtiturat specifike, që nuk i gjen kund tjetër, si: “Durrës! Durrës! Hajde Durrës!”. Të atyre zotër furgonash, që grishin klientelën me të thirrura në zë aq të lartë, saqë bashkë edhe me boriet në kor të makinave e bëjnë të dëmshëm, të padurueshëm qoftë edhe kalimin, pale qëndrimin aty. Kalimtarët thjesht kalojnë, pa kthyer kokën, pa u shqetësuar në fytyrë, pa vënë duar apo shami në hundë prej blozës së tmerrshme. Shumë të rrallë janë ata që iu ankohen ‘tellallëve’ me: ‘Mos bërtisni!”, ‘Ku je këtu?!”, “Mbaj tabelë përpara në vend të së bërtiturës!”. Por më kot se asgjë nuk ndryshon. Ndërkohë që Bashkia e Tiranës pikërisht zonën poshtë Stacionit të Trenit e parashikon si bumin e zhvillimit të Tiranës së ardhshme. Sipas arkitektëve, ‘një zonë e pastër dhe e pazhvilluar’. Te ‘Teknologjikja’ Rrecka, rrecka, rroba të përdorura, të shitura pa kurrfarë higjiene, direkt përtokë mbi baltë apo pluhur, anash rrugës kryesore që lidh Tiranën me Durrësin apo rrugicash të pashtruara më në brendësi. Pamje të shëmtuara, të jashtëzakonshme në llojin e vet, por të zakonshme për sytë e kryeqytetasve shqiptarë tek e ashtuquajtura ‘Shkolla Teknologjike’. Dëngje-dëngje varg me rroba të përdorura, që të vrasin sytë, aq sa të duash t’i mbyllësh vrik menjëherë, e kur i hap mundësisht të jenë zhdukur nga faqja e dheut pamjet e pabesueshme, gati sureale. Kaq shumë rrecka ngado të pranishme nëpër qytetet shqiptare, mu në bash të vendit, duke të dhunuar edhe më keq me shëmtinë e tyre, të shitura ashtu pa asnjëlloj standardi minimal tregtimi. Të përdorura, por së paku të shitura në ndonjë mbështetëse, të sistemuara më në brendësi, larg ndotjes më të madhe të ambientit, nën strehë e nëpër dyqane. Por i gjen ngado, të varura, të hapura edhe në mes të pluhurit, blozës së makinave dhe baltës. Një tjetër aspekt tjetër i kualifikimit urban në këtë zonë është përmirësimi i kushteve të Tregut Ushqimor, i cili megjithëse është ridimensionuar në zonën e projektuar dhe më parë, përsëri është bymyer në stilin shqiptar, duke zënë pjesë të trotuarit ngjitur me tregun. Por edhe këtu pritet të kalojë Unaza e Madhe dhe rikualifikimi i zonës me sa duket do të mbërrijë bashkë me të në një fazë të dytë. Tek spitalet Edhe tek spitalet e QSUT-së, syri të rrok me dhimbje mjerim. Sidomos siluetë urbane të rrëgjuar. Jo vetëm prej të sëmurëve që mbartin në vetvete silueta të brishta e trishta, por dhe të afërmve të tyre, kokë e këmbë të zhytur në varfëri, që përplasen e grumbullohen të shumtë dashje pa dashje në ato dyer publike, e trokasin të ardhur nga gjithë Shqipëria, sidomos zonat rurale. Kjo zonë mund të quhet e shëmtuar edhe për shkak të mbetjeve urbane, të cilat hidhen jashtë vendeve të grumbullimit dhe kur kjo gjë bëhet në zona të tilla të banuara si QSUT apo në zonën përreth Spitalit Ushtarak mbetjet spitalore bëhen të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve. Problematike në këtë zonë është dhe djegia e mbetjeve në vendgrumbullim, duke ndotur ambjentin. Te tregu në Allias Është tregu i lënë pasdore aty në hyrje të kësaj lagjeje. Dy vjet më parë në mes të baltës, së fundi të paktën mbi asfalt, por sërish shëmtuar. Rroba të përdorura përtokë, një treg fruta-perimesh, por edhe peshk mund të gjesh përzier aty, në një mjerim llamarinash, perdesh sterrë dhe një tualeti publik afër, që parfumos pikërisht ato që nuk do të duhej kurrsesi, ushqimet, por dhe blerësit. “Këtu është si në Afganistan”, thonë tregtarët. Unaza e Re, si Komuna e Parisit ‘Unaza e Re’ ofron jetë të mirë me shërbimet e shumta që ofron, por nga ana urbanistike ‘po merr kot’.Pomerr formë kanionike. Objekte të larta me rrugë të ngushta, tepër fluks, trafik tepër i ekzagjeruar, duke pasur parasysh cilësinë e mjeteve tona motorike që lënë për të dëshiruar. Nuk ka gjelbërim. E ka marrë edhe zona ‘Komuna e Parisit’ këtë formë, por po merr të njëjtat nuanca edhe një pjesë e urbanizuar së fundi dhe që premtonte si Unaza e Re, ose ‘tek Astiri’, siç e quajnë rëndom zonën. Ndërkohë, ndërtimi i Unazës së Madhe nga ana mjedisore-urbanistike ka dëme, sepse rrezikon edhe zonat afër Liqenit Artificial, e vetmja ‘mushkëri’ e qytetit, por nga ana e zgjidhjes së problemit të trafikut i jep frymëmarrje qytetit. ‘Zogu i Zi’ dhe ‘Dogana’ Kanë të dyja zonat disa të përbashkëta: rrugë të gjera, përballojnë fluksin e hyrje-daljes së automjeteve nga Tirana. Por nuk kanë barriera të mëdha mbrojtëse ndaj ndotjes akustike, barriera ndaj ndotjes së ajrit nga pluhuri, tymërat dhe gazrat e karburantit të makinave. Në këtë pikë mund t’iu bashkëngjitej edhe lagjja e shumëpërfolur në kësi ndotjesh, ‘21 Dhjetori’. Mbrojtja apo shpëtimi, sipas arkitektëve, mund të realizohet me anë të gjelbërimit me lartësi dhe materialeve të mirëfillta metalike anash rrugës. Pallati i madh në ngjyrë të bardhë tek ‘Zogu i Zi’, për shembull, kur u ndërtua ishte borë i bardhë e tani është errësuar në gri. Rrobat e lara dhe ndera paradite nëpër ballkone, pasdite familjarëve iu bëhen sterrë. E njëjta situatë është përcjellë edhe në mushkëritë tona dhe mbetet mister se si mbijetojnë apo nuk mbijetojnë njerëzit në këto zona. Tek Tregu i Medresesë Pondërtohet edhe aty një qendër e re dhe e madhe tregtare. Kësisoj parashikohet të vijë urbanizimi më i madh dhe i plotë i zonës. Për momentin kjo lagje është e mbingarkuar me njerëz, sidomos prej tregut, ndërkohë që pjesa e infrastrukturës lë për të dëshiruar. Lagjia e Medresesë i ka problemet më të mëdha për sa i përket ndotjes nga mbetjet ushqimore dhe ato spitalore, gjë që është akoma më e rrezikshme. Duke qenë se përballë këtyre mbetjeve gjendet shkolla e Mjekësisë, e cila përveç lehtësive që ka për shkak të afërsisë me Qendrën Spitalore, më shumë duket se banorët duhet të ruhen për shkak të “triadës së rrezikshme”; Tregu Ushqimor, Tregu i Medresesë dhe Qendra Spitalore, të cilat krijojnë herë pas here male me plehra, herë për shkak të mosqytetarizimit të banorëve dhe herë për shkak të neglizhencës së subjekteve të kontraktuara nga bashkia për të menaxhuar këto mbetje. Te ‘Don Bosko’ Në pamje të pare, si strukturë kjo rrugë nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Është madje një zonë relativisht e re, plot pallate të bukura. Por trotuaret male-kodra, pluhuri në rrugë nga makinat e këmbët e kalimtarëve të shumtë, trotuaret plot me tregje fshatare e ambulantë në mes të rrugës, në mënyrë të paorganizuar e që të zënë frymën si te ‘Don Bosko’. Pa llogaritur siluetën urbane, që përbëhet dhe mbizotërohet nga popullsi e varfër e zonës, përveç edhe asaj të pasur. Edhe Komuna e Parisit Kritikohet sidomos për mbetjet urbane. Është lagjja që përfaqëson më së miri problemin e mbetjeve urbane. Megjithëse është lagjja më e re e qytetit dhe e krijuar për të sjellë rifreskim të qytetit mund të gjesh mbetje urbane në çdo centimetër të kësaj zone. Në pjesën veriore të Komunës së Parisit problemi kryesor është mosrikonstruksioni i rrugëve, i cili nuk sjell probleme të mëdha trafiku për shkak se trafiku do të zgjidhet me unazën e madhe të Tiranës, por sjell probleme të mëdha të gjelbërimit të zonës. Ndërkohë, pjesa jugore problemin kryesor e sheh në rrjetin e telave mbitokësore të energjisë elektrike, telefonisë apo internetit, që janë zhvilluar sistematikisht si rrjet merimangash. Megjithëse këtë problem e has në pjesë të ndryshme të Tiranës, në këtë zonë për shkak të zhvillimit të shpejtë është më e dendur. Mjafton të përmendësh faktin që në Komunën e Parisit nuk gjendet asnjë kabinë e Albtelekom. Vetëm një kompani që operon në tregun shqiptar të shpërndarjes së internetit e ofron këtë shërbim, sepse investimi në rrjetin e infrastrukturës nëntokësore është shumë i lartë në krahasim me sjelljen e fijeve “pemë me pemë”, dukuri 100% Albanian Standard. 1. Silueta urbane me probleme ka të bëjë me heterogjenitetin e popullsisë në Tiranë. Duam s’duam kemi të bëjmë me të gjitha llojet e kategorive sociale. 2. Çfarë po bëjmë ne arkitektët, ndërtuesit? Realizojmë pallate dhe shumë pak realizojmë mjedisin rreth e përqark tyre. Kjo është problematikë e madhe nga ana jonë.

Nuk ka komente:

Posto një koment