e hënë, 26 dhjetor 2011

Firma “Geci” blen 21 milionë euro të gjitha aksionet e “15-katëshit”




Një nga godinat më të përmendura në Tiranë si pikë referimi, 15-katëshi, është shitur për 21 milionë euro nga ish-pronarët e tij. Dhjetë aksionerët që e kishin në pronësi deri dje këtë godinë, kanë “transferuar” te një aksioner i vetëm të drejtën e pronësisë. Sipas një komunikate për shtyp, bëhet me dije se blerësi i ri i “Tirana International Hotel” është kompania “GECI” sh.p.k., në pronësi Ramë Gecit. Kjo kompani operon prej kohësh në vend në infrastrukturë, kryesisht në ndërtimin e rrugëve. Shitja e “Tirana International Hotel” vjen pas procesit të privatizimit që ish-godina shtetërore kaloi në vitin 2004 nën mbikëqyrjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në atë kohë 15-katëshi i kaloi për menaxhim kompanisë shqiptare “Albania Consortium”, e cila e zhvilloi aktivitetin e saj në veprimtarinë e hotelerisë dhe që kishte 25 aksionerë. Kjo kompani arriti që të fitonte ankandin e shpallur në atë kohë me shumën 5.2 milionë USD, edhe pse interes për këtë privatizim kishin shfaqur edhe 50 kompani të tjera. Ky interes i lartë e ka shoqëruar gjatë gjithë kohës 15-katëshin edhe për faktin që është një nga godinat më të mëdha në sektorin e hotelerisë. “Tirana International Hotel” është një pronë 17 mijë metra katrorë, ka rreth 170 dhoma, 11 salla aktivitetesh të ndryshme me kapacitete që shkojnë deri në 450 veta, me salla fitnesi, sauna, pishinë etj. Qysh me ndërtimin e godinës, 15-katëshi ka qenë një pikë reference për orientim. Profili i operimit në sektorin e hotelerisë ka qenë i tillë që prej vitit 1974, vit kur ai është ndërtuar, ndërkohë që në të njëjtin profil e gjejmë edhe sot. http://www.panorama.com.al/ekonomi/firma-%E2%80%9Cgeci%E2%80%9D-blen-21-milione-euro-te-gjitha-aksionet-e-%E2%80%9C15-kateshit%E2%80%9D/

Parkimet nëntokësore, gati nisja e punimeve te Sheshi "Italia"

TIRANË - Projekti për ndërtimin e parkimeve nëntokësore në sheshin "Italia" është shumë pranë. Kjo për arsye sepse Bashkia e Tiranës ka dorëzuar në Këshill një projekt-vendim i cili pritet të miratohet në datë 28 dhjetor, ku do t'i jepet në përdorim trualli në zonën kadastrale 8160, në sheshin "Italia", firmës fituese të këtij projekti "Gener 2", në konçension për 35 vjet.

Koncesionari detyrohet që pas ndërtimit të objektit dhe përpara fillimit të operimit të shërbimit, të realizojë punimet që e kthejnë mbitokën në destinacionin aktual, përkatësisht në shesh publik. Gjatë periudhës së operimit të shërbimit, koncensionari do të aplikoi tarifat e miratuara nga Këshilli Bashkiak në përputhje me politikën tarifore të Bashkisë së Tiranës. Tarifa për orën e parë të parkimit është 150 lekë. Ndërkohë që numri i makinave që do të parkohen në këtë parkim është 1008 automjete, ku 24 vende janë për kategoritë e veçanta.

Vlera totale e investimit është rreth 1.6 miliardë lekë. Ndërtimi i parkimeve nëntokësore ka qenë një projekt i kahershëm i Bashkisë së Tiranës. Ku veç projektit te sheshi "Italia" është edhe ai te parku "Rinia". Tenderi për këto projekte është zhvilluara në 20 prill të vitit 2009. "Gener 2" sh.p.k u shpall firma fituese e projektit tek sheshi "Italia", pranë stadiumit "Qemal Stafa". Këshill Bashkiak në lidhje me këto projekte ka miratuar në muajin tetor 2008 formën BOT, që do të thotë ndërtim, operim dhe transferim, të dhënies me konçension të dy parkimeve nëntokësore, propozim i cili është dhënë nga Bashkia. Forma BOT e dhënies me konçesion parashikon se pasi të ndërtohen parkimet nëntokësore dhe pas një afati 35-vjeçar që firma fituese e tenderit do ta përdori atë, do t`i rikthehen sërish në pronësi Bashkisë së Tiranës.

http://www.balkanweb.com/kryesore/1/parkimet-nentokesore-gati-nisja-e-punimeve-te-sheshi-italia-77448.html