e martë, 8 qershor 2010

600 mln lekë për sallën e re të Kuvendit

Kuvendi i Shqipërisë do ndryshojë fytyrë. Selia e seancave plenare do ti nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë. Kuvendi ka përmbyllur dy tenderat me vlerë totale 600 milionë lekë të reja për rikonstruksionin e godinës dhe mobilimin e sallës ku zhvillohen mbledhjes së seancave plenare dhe në fund të korrikut firma fituese do filloj punë për të realizuar projektin.

Rikonstruksioni

Bojkoti 9 mujor i Kuvendit nga opozita ka pasur dhe një anë të vet pozitive. Për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve socialistë në jetën parlamentare dhe për rrjedhojë të mospagimit të tyre, drejtuesit e Kuvendit kanë mundur të sigurojnë një gjendje të mirë financiare, çka u ka dhënë mundësi që jo vetëm të japin shpërblime për punonjësit e administratës, por edhe të krijojnë mundësinë për të rritur zërin e investimeve. Falë një gjendje të mirë financiare, të siguruar edhe për shkak të këtij bojkoti, institucioni legjislativ vendosi të ndërhyjë godinën e sallës së seancave plenare. Megjithëse Kuvendi ka hartuar një projekt afatgjatë për ngritjen e një kompleksi parlamentar në ambientet ekzistuese të kryesisë apo siç njihet ndryshe tek godina e ish-Komitetit Qendror, drejtuesit aktual të këtij institucioni kanë vendos të mos presin gjatë por të ndërhyjnë në godinën ekzistuese të seancave plenare. Kështu, drejtoria e prokurimeve ka zhvilluar në mes të muajit maj tenderin me vlerë 48,6 milionë lekësh të reja për rikonstruksionin e Sallës së Seancave Plenare dhe ka shpallur firmën fituese e cila do merret me zbatimin e projektit në teren. Ajo që dihet me siguri deri më tani është ndërhyrja brenda në sallë, por nuk përjashtohet mundësia që me këtë shumë të konsiderueshme lekësh të mund të rikonstruktohen edhe pjesët e tjera të kësaj godine. Burime nga Kuvendi kanë bërë të ditur se pritet të ndërhyhet edhe në llozat e të ftuarve, në platenë ku sot qëndron media, zyrat e grupeve parlamentare etj. Nuk dihet ende nëse projekti parashikon ruajtjen e formatit aktual, por nuk përjashtohet mundësia e ndryshimit të vendeve ku qëndron kabineti qeveritar, si dhe të tavolinës së drejtuesve të Kuvendit. Një tjetër ndryshim mund të bëhet edhe për vendet ku qëndrojnë kamerat dhe gazetarët. Sipas formularit të kontratës së nënshkruar mes drejtorisë së prokurimeve dhe firmës fituese punimet duhet të nisin menjëherë dhe të përfundojnë para datës 1 shtator 2010, pra para nisjes së sesionit të ri parlamentar. Megjithatë firma fituese do të jetë e kushtëzuar në realizimin e këtij projekti në kohë, pasi punimet nuk mund të fillojnë para datës 27 korrik, kur edhe mbyll punimet e këtij sesioni.

Mobilimi

Krahas tenderit për rikonstruksionin e godinës Drejtoria e Prokurimeve ka mbyllur edhe tenderin për mobilimin e sallës përkatëse. Plot 11.2 milionë lekë të reja do ti kushtojë buxhetit të Kuvendit mobilimi i sallës së seancave plenare. Sipas kontratës mobilimi do të përfshijë blerjen e tavolinave, karrigeve të deputetëve, ministrave dhe drejtuesve të Kuvendit. Ajo që pritet të qëndroj nga salla aktuale do të jetë me siguri sistemi elektronik i votimit, i cili u vendos i ri vetëm dy vjet më parë, pas debateve që u zhvilluan atëherë mes mazhorancës dhe opozitës për votën e fshehtë.


Tenderi

Procedura e prokurimit elektronik: Procedurë e Hapur

Objekti i prokurimit: Rikonstruksion i Sallës se Seancave Plenare

Fondi limit: 48,670,008 lekë pa TVSH

Afati i punimeve: Nga nënshkrimi i kontratës deri në dt. 01.09.2010

Objekti i Prokurimit: Mobilim i Sallës së Seancave Plenare

Fondi limit 11.230.800 lekë pa TVSH

Afati i Lëvrimit: Nga nënshkrimi i kontratës deri në 17.08.2010

Nuk ka komente:

Posto një koment