e enjte, 11 mars 2010

Dita e Verës, ja aktivitetet në Tiranë

Tiranë, 10 mars, NOA - Edhe këtë vit, Tirana dhe Elbasani, por edhe qytete të tjera bashkohen për të mirëpritur Ditën e Verës. Atmosfera festive do të ndihet që në orët e para të mëngjesit, ku rrugët do të popullohen nga vizitorë të shumtë, të cilët do të shëtisin deri në orët e vona të mbrëmjes.

Ata do të kenë mundësi të shijojnë gatime të veçanta tradicionale, si dhe ballokumet, ëmbëlsirën simbol të kësaj dite. Sheshet kryesore të qyteteve do të mirëpresin koncertet e ndryshme me këngëtarë shqiptarë dhe të huaj.

Një kënd i veçantë do tu kushtohet fëmijëve, argëtimit me kllounët, akrobatët dhe personazhet e njohura të botës së tyre, si dhe një festë e vërtetë karnavalesh në të cilën ata do të jenë protagonistë. Një risi në këto festime do të jetë edhe projekti Pasarela, parakalimi i 30 modeleve në një pasarelë përpara hotelit Rogner në Tiranë.

Aktivitete në Tiranë

Festa do të fillojë të dielën paradite në qendër të Tiranës në sheshin Skënderbej. Prologu i kësaj feste do të jenë këngët dhe vallet e Ansamblit Tirana. Më pas, akrobatë dhe kllounë nga Cirku i Tiranës do të argëtojnë fëmijët e pranishëm, ndërsa Banda e Qytetit do të fillojë rrugëtimin përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Në shesh, qytetarët do të gjejnë edhe këndin e kulinarisë shtëpiake, gatime tradicionale të zonës, që do të ofrohen për shijim nga një grup amvisash të qytetit të Tiranës, bashkë me recetën e gatimit.

Lulishtja Skënderbej do të jetë e gjitha e fëmijëve, që nga mesdita. Nuk do të mungojë muzika, këngët dhe vallet popullore, por i pranishëm do të jetë edhe libri përmes projektit Të lindur për të lexuar. Bulevardi Dëshmorët e Kombit do të kthehet në një panair argëtues, plot me kënde dhe çadra ku të Rinjtë e Rrjetit Rinor do të krijojnë një atmosferë krijuese dhe gazmore.

Një vend të veçantë do të ketë edhe prezantimi i botimeve nga shtëpitë botuese shqiptare. Ndërkohë, duke ecur poshtë në sheshin përpara Piramidës, një kuartet instrumental do të performojë nga ora 12.00 deri në 16.00. Në Parkun Rinia, Bashkia e Tiranës do të instalojë një sistem Karaoke, që i fton të gjithë të bëhen protagonistë të këngës.

Sheshi Nënë Tereza do të jetë hapësira për të gjithë të apasionuarit e Skateboard-it dhe Grafitit.

Të dielën, zona e ish-Bllokut do të jetë Rock the Block, një pellg festiv dedikuar muzikës rock dhe vlerave përbashkuese europiane. Koncerti do të fillojë në orën 20.00, me grupe të muzikës rock dhe alternative nga grupe europiane dhe shqiptare. Skena do të vendoset në rrugën pedonale dhe në të do të ngjiten për të performuar disa grupe muzikore. Aktiviteti zhvillohet në bashkëpunim me ambasadat e huaja të akredituara në Tiranë.

Nuk ka komente:

Posto një koment