e martë, 23 shkurt 2010

Segment i ri në qendër të kryeqytetit

Kanë nisur të hidhen hapat e parë për nisjen e projektit të qendrës së Tiranës. Hapi i parë konkret është hapja e një rruge të re në sipërfaqen e lulishtes që ndodhet pas Pallatit të Kulturës, në mënyrë që ajo të lidhet me rrugët e tjera për të përballuar trafikun e automjeteve, të cilin aktualisht e përballon sheshi "Skënderbej". Fillimi i punimeve për këtë rrugë të re çlodhëse ka gati dy javë që ka filluar. Burime pranë Bashkisë bëjnë të ditur se problemi kryesor për nisjen e punimeve për projektin e qendrës ka qenë pikërisht spostimi dhe përballimi i trafikut të automjeteve. "Një nga problemet që duhet të zgjidhet gjatë realizimit të punimeve për rikonstruksionin e sheshit 'Skënderbej' është edhe spostimi i trafikut, që sot përshkon sheshin në rrugët përreth tij. Si pasojë e këtij spostimi do të kemi një trafik të shtuar në rrugët "Abdi Toptani", rruga mbrapa Pallatit të Kulturës, rruga "Urani Pano" dhe segmenti i rrugës "Bardhok Biba". Për këtë qëllim ka filluar rikonstruksioni i rrugëve të mësipërme, gjë që do të krijojë mundësinë që trafiku të përballohet nga këto segmente rrugore dhe mandej të bëhet i mundur fillimi i punimeve në sheshin 'Skënderbej'", - ka deklaruar zyra e shtypit pranë Bashkisë së Tiranës. Sipas të njëjtave burime, fillimi i këtyre punimeve është një hap përpara për sa i përket nisjes së punimeve për projektin e transformimit të sheshit "Skënderbej". Por, të shumtë janë skeptikët për këtë projekt, i cili ka më shumë se dy vite që po përflitet dhe ende nuk është bërë asnjë gjë, ndërkohë që gropat në qendër çdo ditë e po thellohen më tepër duke u kthyer në një tmerr për drejtuesit e mjeteve, apo edhe për udhëtarët që udhëtojnë me linja të ndryshme urbane që duhet të kalojnë në këtë shesh. Por sipas Bashkisë së Tiranës, shkaku kryesor për vonesat mbetet mosrealizimi i shpronësimeve për Unazën e Vogël. Për realizimin e këtij projekti, veç zgjidhjes së spostimit të trafikut nuk ka asnjë problem tjetër, pasi projekti është gati por edhe financimet gjithashtu, sepse janë dhuratë e qeverisë kuvajtiane. Punimet në sheshin "Skënderbej" do të kryhen sipas një projekti modern, të përpiluar nga studio belge "51N4E", e cila fitoi Konkursin Ndërkombëtar për projektin e këtij sheshi. Projekti parashikon një sërë ndryshimesh për këtë shesh, ku e gjithë qendra e Tiranës do të pësojë një ndryshim tërësor.

Nuk ka komente:

Posto një koment